Kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi, priti në një takim pune drejtoreshën e projektit Iniciativa për komuna demokratike dhe efektive (DEMI) të financuar nga USAID-i zonjën Ginka Kapitanova.
Me këtë rast drejtoresha e projektit Kapitanova informoi kryetarin Latifi dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal z. Kujtim Popaj, lidhur me projektin në fjalë, duke shtuar se USAID është i interesuar të investojë në disa projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve menaxhuese të komunës, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale. Zonja Kapitanova tha se objektivat e programit Iniciativat për komunat demokratike dhe efektive, është program tre vjeçar i financuar nga USAID dhe ka për qëllim të arrijë disa objektiva për një qeverisje efektive komunale. Kapitanova ndër të tjera sqaroi , “Programi DEMI i USAID-it ka këto objektiva; forcimi i administratës komunale , duke synuar zhvillimin organizativ, forcim i kapaciteteve të kryetarëve të komunave, drejtorëve dhe personelit komunal, forcimin i kuvendeve komunale, duke synuar zhvillimin e shkathtësive për debat, analizë dhe komunikim i administratës me qytetarët. Gjithashtu synojmë angazhimin e të rinjve dhe femrave në vendimmarrje, bashkëpunimin me mediat dhe motivimin e qytetarëve për të marrë pjesë në vendimet qeveritare. Ne duam të shohim rritje të performancës së shërbyesve civil, rritje cilësore dhe sasiore të shërbimeve, si dhe promovim të zhvillimit lokal ekonomik, duke promovuar mundësitë investive, zyrtarizimin e dialogut me komunitetin e biznesit lokal dhe fusha të tjera të veprimtarisë qeverisëse në komunë.
Zonja Kapitanova tha se për këto qëllime USAID ka ndarë edhe mjete monetare në vlerë prej 3.5 milion dollarë.
Kryetari Latifi garantoi se komuna është e hapur për bashkëpunim dhe do të mirëpresë çdo nismë që do të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetrëve, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe se do të marrë të gjitha përgjegjësitë për realizimin me sukses të projektit.
Edhe kryetari i Kuvendit Komunal Kujtim Popaj tha se bashkëpunimi ndërmjet organeve drejtuese të komunës është në nivelin e duhur, gjë që është një nga parimet për realizimin me sukses të këtij projekti. Popaj foli edhe për nevojat e mëdha që ka komuna e Rahovecit për investime.
Drejtoresha e projektit DEMI i dorëzoi kryetarit Latifi pyetësorin prej gjashtë pyetjesh që është një nga parakushtet për të qenë pjesë e këtij projekti të USAID-it.