Të nderuar përfaqësues të popullit,. Të nderuar familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës, të nderuar miq e të pranishëm, kam nderin që sot të them para jush disa fjalë solemne në këtë akt solemn. Pas gjithë asaj që kemi përjetuar së bashku në gjithë këto vite, është koha që të nisim ndërtimin e një të ardhmeje ndryshe.
Nga ana ime jam i gatshëm të marr mbi supe barrën e ndërtimit të vendit tonë, mirëpo në këtë rrugëtim kërkoj ndihmën e secilit qytetar të komunës së Rahovecit. Të qenit në krye të komunës së Rahovecit, të kësaj komune që aq shumë i dha lirisë tonë, më bën krenar dhe më bën borxhli ndaj qytetarëve. Shpresoj që pas disa vitesh të dalim ballëhapur para jush dhe të prezantojmë sukseset e arritura së bashku. Jam i bindur se sukseset tona në qeverisjen lokale do të jenë sukseset tuaja, ngase të gjithë kemi obligime dhe përgjegjësi ndaj vendit tonë. Nëse të gjithë jemi të përkushtuar për arritje të larta, atëherë sukseset nuk do t’na mungojnë. Jam jetësisht i bindur se asnjë sukses nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim të sinqertë e të ndershëm me të gjithë akterët e shoqërisë. Po ashtu jam i gatshëm që të vëmë në funksion të zhvillimit të gjithanshëm të vendit tonë të gjitha potencialet tona krijuese. Për të arritur synimin tonë, që Rahoveci të ketë identitet dhe të jetë komunë e zhvilluar, jam i gatshëm për bashkëpunim të gjithanshëm me të gjitha grupet politike, me shoqërinë civile dhe me të gjitha grupet tjera që ia duan të mirën këtij vendi.
Të nderuar të pranishëm jam shumë i nderuar të deklaroj se jam i gatshëm të vihem në shërbim të këtij populli të shumëvuajtur dhe t’i shpërbej me devotshmëri e përkushtim. Ky nuk është vetëm një akt solemn betimi para jush, por është edhe një zotim serioz për të punuar me përkushtim e ndershmëri në përmbushje të sa më shumë synimeve tona të përbashkëta. Ju falënderoj për mbështetjen që më keni dhënë dhe kërkoj që edhe më tej të vazhdojmë të jemi së bashku për të ecur në rrugën e zhvillimit e të përparimit të komunës tonë, të vendit tonë të dashur për të cilin u sakrifikuan plejadë e tërë dëshmorësh e martirësh.,
Ju faleminderit për durimin tuaj!
Kryetari : Smajl Latifi