Në 26-vjetorin e rënies, përkujtohen 5 dëshmorët dhe 49 martirët e Brestocit, 68 martirët e Fortesës dhe 75 martirët e fshatit Celinë.
Në fshatrat Brestoc, Fortesë dhe Celinë të komunës së Rahovecit janë përkujtuar të rënët e 25 marsit të vitit 1999. Në tubimet përkujtimore i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Komunës, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të institucioneve qëndrore, deputetë, përfaqësues të OVL, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të këtyre fshatrave dhe fshatrave përreth.
“Në këtë vend e këtë bregore pushojnë eshtrat e të rënëve, të atyre ndaj të cilëve jemi të obliguar ne sot dhe brez pas brezi të përulemi me respektin më të thellë. Kujtimi i përhershëm për të rënët i jep krah jetës dhe sukseseve tona, sepse ata i dhanë shpirt, kuptim dhe e bënë Kosovën. Kjo tokë e larë me gjakun e shqiptarëve nuk i duroi kurrë padrejtësitë, prandaj u sulmua e u djeg me zjarr e hekur, por mbeti shqiptare. E jona do të mbetet përgjithmonë!”, ka thënë kryetari Latifi.